Vrasja e Arlinda Zekajt, aktivistja nga Kosova: Hallkat institucionale dhe përgjegjëse dështuan!

Arlinda Zekaj 49-vjeçe u vra mizorisht mbrëmjen e 25 tetorit 2026 në fshatin Vitomiricë të Pejës, Kosovë, nga kunati i saj (vëllai i ish-bashkëshortit), Albert Sylaj. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë dhe revolte të madhe publike në Kosovë, pasi viktima kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet shtetërore.
Tri ditë para vrasjes, Arlinda i kishte dorëzuar një letër Prokurorisë Themelore në Pejë duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Po atë ditë, ajo kishte thirrur policinë në numrin 192, por patrulla u vonua rreth 70 minuta.
Por sipas aktivistes Ariana Qosaj, institucionet në Kosovë dështuan të mbronin jetën e 49 vjeçares.
“Vlerësimi i rrezikut është ai që jepet nga policia. Dhe ata tregojnë në këtë rast që nuk është e sigurt që të kthehet viktima mbrapa, për shkak se ka një vlerësim të tillë tre ditë përpara. Shihet që ka një thyerje në hallkën institucionale dhe të përgjegjësisë, dhe tani ne do të kemi këtë “gjuajtjen e fajit”. Kemi një seri dështimesh, sepse dhe ajo vet tha që nuk ka siguri. Në Kodin Penal kemi “Vrasje e rëndë”, por në praktikë asnjë prej gjykatave nuk e merr parasysh gjininë. Femicidi nuk është i parashikuar”, tha Qosja në “Takohemi n’Vizion”.
Nga ana tjetër, Kristiana Tusha, punonjëse sociale dhe këshilluese u shpreh se shpesh herë kur nuk funksionojnë hallkat përgjegjëse, gratë kthehen në viktima.
“Shpesh herë hallkat nuk funksionojnë si duhet dhe gratë kthehen në viktima. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga raportimet. Kjo është një kambanë alarmi. Nuk duhet tu heqim të drejtën grave të raportojnë rastin e dhunës. Ne kemi raste suksesi shumë të mira të bashkëpunimit të institucioneve. Gjëja e parë është largimi nga banesa dhe vendosja në një vend të sigurt. Ka institucione strehimi. Siguria duhet të jetë imediate”, tha Tusha.




