U vra nga kunati, i jepet sot lamtumira 49-vjeçares në Kosovë, autori në arrati

Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që dyshohet se u vra në Vitomiricë të Pejës, do të varroset sot, më 27 tetor. Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik në Kosovë, veçanërisht pas informacioneve se viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet pak ditë para se të vritej.
Sipas informacioneve të publikuara, më 22 tetor Arlinda Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në një pjesë të letrës së saj.
Po ashtu, sipas raportimeve, pak orë para ngjarjes, ajo kishte denoncuar në polici ish-bashkëshortin për kanosje.
Autor i dyshuar i ngjarjes është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili, sipas Policisë së Kosovës, është shpallur në kërkim dhe ende nuk është arrestuar.
Rasti ka ngritur shqetësime të shumta për mbrojtjen e grave që raportojnë kërcënime dhe për mënyrën se si institucionet trajtojnë kërkesat për ndihmë në situata të tilla.




