Partia Demokratike zgjodhi mbrëmjen e së mërkurës ekipin me të cilin Sali Berisha do të udhëheqë forcën më të madhe të opozitës drejt zgjedhjeve lokale dhe më pas drejt zgjedhjeve parlamentare.
“Dua të uroj nga zemra ata që u zgjodhën me votën e lirë të Këshillit Kombëtar të PD. Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë të saj në themel të ndërtimit dhe funksionimit”, tha Berisha.
Slogani i liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, në këtë proces zgjedhor ishte ripërtëritje, por megjithatë Berisha vendosi të mos bëjë ndryshime në postet kyçe në parti. Flamur Noka u zgjodh sërish sekretar i përgjithshëm dhe numri 2 i Partisë Demokratike, në një garë të lehtë për Nokën, përballë të cilit u vendos Saimir Koreshi. Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të jenë sërish nënkryetarë të Partisë Demokratike. Berisha vendosi që dy politikanët të mos i fusë në votim, duke argumentuar se ata e marrin detyrën për shkak të posteve që mbajnë në Parlament: Gazment Bardhi si kryetar i grupit parlamentar dhe Agron Gjekmarkaj si nënkryetar i Parlamentit.
Berisha vendosi të shtojë numrin e nënkryetarëve të PD-së, duke i bërë pesë nënkryetarë. Nga sot, nënkryetarë të PD-së janë këshilltari i grupit, Nikola Kedhi, dhe Erisa Bajazit, e cila jeton në Bruksel.
Nënkryetari i pestë do të jetë Belind Këlliçi, i cili fitoi përballë Luciano Boçit, e vetmja përballje reale që u zhvillua këtë herë në PD.
“Ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD. Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen. Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie.”
E tashmë që zgjedhjet brenda PD-së përfunduan, beteja më e rëndësishme për forcën më të madhe të opozitës janë zgjedhjet lokale. Berisha shfrytëzoi konferencën me gazetarët për të akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndryshon në mënyrë të njëanshme numrin e bashkive dhe hartën territoriale të vendit.
“Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ajo është pastaj zgjidhja e tyre, jo e jona. Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër formës ekzistuese dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet tona për ta kundërshtuar këtë reformë.”
Zgjedhjet e ardhshme vendore, sipas ligjit, do të mbahen në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit dhe pritet që të dominojnë debatin politik në sezonin e ri, në shtator.





