Pas denoncimeve të pushuesve për çmime abuzive të çadrave dhe shezlongëve, një grup nga Task Forca e turizmit ka zbarkuar në plazhin e Velipojës.
Strukturat e Bashkisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Hetimin Tatimor, Krimin Ekonomik dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, ndërmorën aksionin për monitorimin e zbatimit të çmimit tavan, që nuk duhet të kalojë vlerën e 900 lekëve.
Subjektet janë të detyruara të afishojnë çmimet dhe t’i respektojnë ato, ndërsa numri dy i bashkisë Shkodër Alban Preka bëri të ditur se pas këtij inspektimi monitorues, nga e premtja çdo shkelje do të ndëshkohet.
Preka u bëri thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të denoncojnë çdo rast abuzimi me çmimet në Sallën Operative të Policisë Bashkiake.
Në plazhet publike të administruara nga bashkia, çmimi për 1 çadër me dy shezlongë në Velipojës është 500 lekë, për plazhet private 900 lekë çmimi tavan, dhe 1500 lekë (të reja) për strukturat që janë në formë gazebo.





