Thirrjes së Edi Ramës drejtuar socialistëve, për të kontribuuar për një marrëveshje të re për Shqipërinë, i është përgjigjur deputetja Elisa Spiropali.
“Sapo dorëzova në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS. Ia kam drejtuar kryetarit të PS, anëtarëve, kryeministrit dhe Asamblesë”, tha Spiropali.
Sipas Spiropalit, kërkesa themelore është hapja e partisë, e cila sipas saj nuk mund të ndërtohet mbi vendimmarrjen e një apo dhjetë individëve.
“Do të jetë e hapur sepse çdo marrëveshje për Shqipërinë s’mund të hartohet nga 1 apo 10 individë por të shprehë vullnetin e shumicës shqiptare që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, model ekonomik që i përgjigjet nevojave dhe të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, janë ata që presin më shumë na ne dhe unë kam gjithë besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese”, tha Spiropali.
Por gjithashtu Spiropali sqaroi se ky mocion nuk kërkon të krijojë përçarje apo fraksione brenda të majtëve.
“Kjo s’është kërkesë për fraksion apo përçarje, është kërkesë për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS. Ne duhet t’u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi duke i dëgjuar dhe kanalizuar në rrugë edhe institucionale kërkesave të tyre”, tha deputetja.
Për ligjvënësen socialiste, mocioni synon adresimin e çdo problematike të qytetarëve shqiptare të cilat duhet të shqyrtohen nga PS.





