Sot është prezantuar projekti Smart City, një sistem i ri monitorimi që përdor Inteligjencën Artificiale për të forcuar sigurinë publike dhe për të parandaluar ngjarjet me rrezik përpara se ato të ndodhin. Faza e parë e projektit përfshin 20 shkolla të Tiranës, me synimin për të rritur sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe komunitetit të prindërve.
Gjatë prezantimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi Smart City si një projekt që afron Shqipërinë me standardet më të avancuara evropiane në fushën e sigurisë publike. Ai tha se nisma është edhe një përgjigje ndaj vrasjes tragjike të Martin Canit, nxënësit të shkollës “Fan Noli”, ngjarje që, tronditi vendin dhe sipas tij u shoqërua me spekulime dhe politizim.
Rama u shpreh se shteti nuk gjykohet vetëm nga ngjarjet që ndodhin, por nga mënyra se si reagon ndaj tyre. Sipas tij, reagimi i qeverisë ka qenë ndërtimi i një sistemi modern dhe të integruar, i cili do të harmonizojë punën e institucioneve me aftësitë e Inteligjencës Artificiale për të parandaluar rreziqet dhe për të rritur sigurinë.
“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës ‘Fan Noli’, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të të gjitha llojeve të spekulimeve e akuzave, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët, por gjithë opinionin publik.
Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar të gjithë ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie. Një shtet nuk matet dot me çdo gjë që ndodh. Edhe në shtetet më të zhvilluara, me traditat më të konsoliduara institucionale, me historitë më të gjata të formimit të kulturës shtetërore, ka raste që ndodhin gjëra që trondisin opinionin publik, por një shtet ama matet me mënyrën se si reagon ndaj çdo gjëje që ndodh. Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili, në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë gjithë përpjekjen e njerëzve dhe institucioneve me aftësitë e pakonkurrueshme të Inteligjencës Artificiale. Do të ngrihet në një nivel tjetër parandalimi.
Sot e kemi nisur me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla. Me 20 shkolla që janë përzgjedhur për nga dendësia e numrit të nxënësve, për nga dendësia e popullsisë përreth, nga intensiteti i veprimtarive dhe, patjetër, për nga domosdoshmëria që të nxjerrim të gjitha konkluzionet për të vazhduar me fazat e tjera.
Sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkollë duhet të ndihen të lehtësuar që qeveria, ndryshe nga çfarë përshkruhet në të përditshmen e kanaleve sociale dhe algoritmit, është një trup që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë“, tha Rama.





