Subscribe

Pas 36 ditësh opozita u kthye në Kuvend duke pezulluar mosbindjen civile për të diskutuar ligjin ekonomik më të rëndësishëm të vitit, buxhetin.

Vendimi i Gjykatës Administrative që shpalli të paligjshëm përjashtimin e 22 deputetëve demokratë, i krijoi mundësinë grupit parlamentar të PD të marrë pjesë pa mungesa në seancë.

Duke shfrytëzuar këtë vendim PD akuzoi mazhorancën socialiste se nxori jashtë kuvendit pa ligj gjysmën e opozitës duke kërkuar dorëheqjen e kryetares së kuvendit Elisa Spiropali.

“Ju duhet të jepni dorëheqje, pasi keni penguar opozitën pa ligj e rregullore, që mos marrë pjesë në seancat plenare. Ti zonjë je përfaqësuese e krimit të organizuar, duhet të japësh dorëheqje. Duhet t’ju vijë vetëm turp”, tha Bardhi.

“Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit. Nuk mund të ndërhyjë në vendimet kolegjiale të Kuvendit, sidomos për masat disiplinore. Nuk mund të na pëlqejë, por duhet të vendosim një standard. Të mos djegim karriget, por të ndjekim procedurën, sepse kjo vendos një precedent të rrezikshëm, jo për ne dhe ju, jo për sot, por për nesër”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Niko Peleshi.

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat Gazment Bardhi solli në vëmendje përplasjen mes policisë dhe deputetëve në seancën e 17 tetorit duke akuzuar ministrin e brendshëm se në kundërshtim me ligjin futi forcat speciale në Kuvend kundër deputetëve demokratë.

“Në pikëpamjen e analizës psikokriminale që kam për shkak të detyrës t’i futesh te njerëzit gënjeshtar. Tani që ti gënjen dhe akuzon dhe pastaj i beson atyre që akuzon kjo është e vërtetë. Policia ka bërë detyrën. S’ka hyrë në Kuvend. Turma që drejtohej nga ty po sillej drejt institucionet kushtuese. Policia ishte në detyrë dhe mbrojti kuvendin”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

“Nuk e di në lexove SMS- që të kishte dërguar Rama apo banda e Durrësit, ushtari i së cilës je ti. Je një njeri ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje me njëra tjetrën të kanë zgjedhur ty si ministër i brendshëm. Kjo është një e vërtetë e madhe që e dinë mirë kolegët e PS, e dinë mirë që ke shkuar dhe shkon i falesh bandash së Durrësit. Përfaqësues i tyre je ti, mos guxo më kurrë të më drejtohesh mua e deputetëve të opozitës me epitete se zotërote ne mund të vëmë nja 20 epitete të merituara”, tha Bardhi.

Ndërkaq  sot SPAK ka vendosur mosfillimin e procedimit për referimin e Policisë së Shtetit për 23 deputetët që dogjën karriget në oborrin e Kuvendit në 30 shtator./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *