Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i konsideron të pamjaftueshme masat e marra nga qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor.

I ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, Boçi tha se gjendja nëpër shkolla është katastrofale dhe se qeveria nuk i ka kaluar asnjë fond shkollave dhe Ministrisë së Arsimit.

Sipas tij, testimi i mësuesve duhet të ishte hapi i parë i qeverisë në hapjen e shkollave. Ai arsyeton se askush nuk e di sa prej stafit pedagogjik mund të jenë të prekur nga virusi dhe sa mund ta kenë kaluar në kushte asimptomatike ose me simptoma te lehta.

“Ne kemi parasysh kalimin e fondeve që qeveria duhet t’ua bënte shkollave dhe Ministrisë së Arsimit, për blerjen e bankave, mjeteve mësimore dhe investime të paketave financiare për perballimin që mësuesit dhe nxënësit duhet të kenë për masat, dezinfektuesit, bërjen e testeve paraprake për mësuesit me qëllim që të krijohet një ambient i sigurt për nxënësit. Mësuesit duhet të ishin testuar. Duhet të ishin ndërhyrë në marrjen e masave për lyerjen e klasave, dezinfektimin, rregullimin e tualeteve, praninë e ujit të ngrohtë dhe praninë e masave higjeno-sanitare. Gjendja fizike e shkollave tona është katastrofale në pjesën dërrmuese të tyre. Qeveria nuk ka alokuar asnjë fond për pjesën e ndërhyrjes së masave të sigurisë. Nuk bëhet fjalë për shtimin e klasave apo për marrjen e masave të tjera.”

Duke iu referuar kushteve të vështira të krijuara prej pandemisë, për Boçin, qeveria duhet të kishte ndërmarrë një numër më të lartë masash, në mënyrë që nxënësit të ishin më të sigurt.

“Këto masa, në kushtet e pandemisë duhet të ishin dhjetëfishuar, në mynyrë që të ishim të sigurt për fëmijët tanë nesër. Nuk duhet ta lëmë të gjithë punën tek ruajta e distancës apo të masave të tjera që janë të shënuara tek protokolli i sigurisë. Dija nuk mund të transmetohet as me turne në shkollë, as me 25 minuta. Nuk duhet të nxirren nga sistemi 100 mësues për qëllim politike, por t’i mbajnë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *