Eglent Bici, ekspert në tregun e Real Estate, është i mendimit se çmimet në tregun e qirave pritet të shtrenjtohen më tej. Sipas tij kjo valë lidhet me promovimin që po i bëhet Shqipërisë çka do të sjellë më shumë turistë.
“Gjatë verës është planifikuar koncerti i Kanye West për tu zhvilluar në Tiranë. Ky është një marketing, i cili do të tërheqë shumë vëmendjen e shtetasve të huaj të cilët do të vijnë në Tiranë jo vetëm për koncertin, por edhe për turizëm. Pra vendi po hyn vit pas viti në hartën globale të turizmit, ndaj çmimet nuk kanë asnjë sinjal se do të ulen, përkundrazi”, tha Bici gjatë një interviste në Vizion Plus, në emisionin “E-ZONE”.
Sipas Bicit aktualisht leverdia më e madhe është që prona të jepet me qira afatshkurtër. Përfitimet janë më të mëdha.
“Nëse një pronë me mobiluar mirë, me kapacitet 1+1 dhe që ka komente pozitive, mund të gjenerojë nga 900 deri në 1300 euro në muaj. Por ky duhet të jetë një aktiviteti i konsoliduar i atij që e ofron. Ndërkohë një qira afatgjatë masatarisht për të njëjtën tipologji ndërtimi mund të arrijë deri në 700 euro. Ndaj një pjesë e mirë individëve që blejnë prona të tilla marrin shtëpi me qira afatgjatë për t’i dhënë me qira afatshkurtër”, tha Bici.
Tirana mbetet e qëndrueshme gjatë gjithë vitit sa i përket qirave, por fitimi më i madh është në Vlorë dhe Sarandë, pasi përqendrohet dhe fluksi më i madh i turistëve, por kohëzgjatja e sezonit apo shfrytëzimi apartamentit është më i ulët. Ndërkohë Durrësi duket se mbetet një mundësi e mirë investimi dhe shfrytëzimi të shtrirë në kohë gjatë vitit.




