Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili sulmoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e cilësuar si të njëanshëm dhe të lidhur me kryeministrin Edi Rama.
Në një reagim publik, një zëdhënës i Bashkimi Evropian e dënoi ashpër gjuhën e përdorur ndaj diplomatit evropian, veçanërisht në Ditën e Evropës.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagim.

Ky qëndrim vjen pas deklaratave të Berishës gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ku ai akuzoi Gonzaton se “sillet si ambasador i Edi Ramës” dhe se, sipas tij, ka përcjellë në Bruksel “trillime” kundër opozitës shqiptare.
Berisha gjithashtu e akuzoi ambasadorin për interpretim të njëanshëm të çështjeve politike në Shqipëri, përfshirë edhe debatin mbi imunitetet dhe raportet mes institucioneve shqiptare dhe BE-së.
“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera. Dhe se kur diskutohet nga Coelho se nuk i hiqet, pse nuk i hiqet imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit. Është unifikuar komplet me Edi Ramën”, tha Berisha.
Reagimi i Brukselit nënvizon mbështetjen e plotë të Unionit për punën e ambasadorit në Tiranë dhe distancimin nga çdo sulm personal ndaj përfaqësuesve diplomatikë të tij.




