Rastet e përndjekjeve nëpërmjet rrjeteve sociale apo fizikisht po vijojnë të jenë tepër shqetësuese çdo ditë e më shumë. Këtë e bëjnë të ditur edhe shifrat e fundit të INSTAT të cilat tregojnë se kjo vepër penale është rritur me 69% nga viti 2024 në vitin 2025.
“Kjo sindroma sociale e përndjekjes është e shëmtuar, e papranueshme aq më tepër në kohët e sotme kur jetojmë në një shoqëri të lirë demokratike, në një shoqëri të hapur ku mundësitë e njerëzve për të komunikuar, për të njohur, për të kërkuar janë shumë të gjëra”, tha sociologu Gëzim Tushi.
Sociologu Gëzim Tushi e cilëson këtë fenomen si një lloj perversioni social shpeshherë me sfond seksual, por që në disa raste lidhet edhe me interesa material apo përfitime të tjera. Sipas tij shqetësuese mbeten edhe rastet kur autorët e përndjekjes janë persona të moshuar.
“Unë mendoj që ky është një lloj perversioni social me sfond seksual por ka edhe raste të tjera me përndjekje që vinë për arsye të tjera të përfitimeve materiale në shoqëri. Një pjesë e atyre që përndjekin janë njerëz që kanë probleme të shëndeti mendor. Një pjesë e tyre janë maniakët seksual, ka dhe të tjerë që e kanë këtë një lloj vesi social të kultivuar. Ndërkaq më vjen keq që nga pikëpamja moshore për fat të keq është një turp social që ne në shoqërinë tonë kemi të moshuarit që e kanë këtë ves. Përndjekin të moshuarit, ngacmojnë të moshuarit kanë sindromën e ngjitjes”, shtoi Tushi.
Forma e përndjekjes në rrjete sociale po ashtu mbetet një tjetër shqetësim serioz pasi jo vetëm bëhet shkak për bullizim dhe rëndon gjendjen psikologjike të viktimës por shpeshherë kthehet edhe në burim konfliktesh familjare.
“Kjo forma e re e përndjekjes digjitale është duke u zgjeruar, është bërë kanceri i përhapur i kohës së sotshme sepse përndjekja në rrjetet sociale ka faktin që mund të ruash anonimitetin e ngacmimit. Mund të kesh frekuencë të vazhduar të ngacmimit, nëpërmjet rrjeteve sociale. Konfliktet që fillojnë virtualisht kthehen në probleme reale të cilat marrin edhe karaktere që cojnë në akte kriminale”, tha ai.
Për të parandaluar këtë fenomen, ekspertët kërkojnë masa të forta edukative dhe juridike, duke theksuar nevojën për më shumë ndërgjegjësim në familje, shkolla dhe media, si dhe zbatim të rreptë të dispozitave penale ndaj autorëve.




