E shtunë, 10 Tetor 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Arrestohet 51-vjeçarja gjermane në Kakavijë, në automjet iu gjetën armë dhe kanabis

Policia Kufitare e Kakavijës ka finalizuar operacionin e koduar “Risku 2”, gjatë të cilit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me mulli, municion dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Në pranga ka rënë drejtuesja e automjetit, një shtetase gjermane 51-vjeçare.

Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve të intensifikuara në pikën kufitare të Kakavijës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëve.

Reklamë

Sipas Policisë, automjeti dhe ruloti që drejtohej nga shtetasja gjermane me inicialet A. S. iu nënshtruan kontrollit të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.

Gjatë kontrollit, shërbimet zbuluan një armë zjarri pistoletë me mulli, së bashku me municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.

Reklamë

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë 51-vjeçaren.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni, lënda e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, automjeti së bashku me rulotin, si dhe një telefon celular.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprat penale të dyshuara të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Trafikimit të armëve dhe municioneve”.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.