Autoritetet greke kanë arrestuar një 56-vjeçar në zonën e Lavreotiki-t, në kuadër të një hetimi për një rast të rëndë të dyshuar të abuzimit seksual ndaj një të miture.
Sipas policisë greke, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në maj të vitit 2026, kur nëna 28-vjeçare, e cila është tashmë nën akuzë, dyshohet se e detyroi vajzën e saj të mitur të kryente akte seksuale gjatë një video-thirrjeje në një aplikacion komunikimi.
Hetimet kanë zbuluar se 56-vjeçari dyshohet se i ka ndjekur këto akte në kohë reale përmes video-thirrjes. Ai akuzohet për bashkëpunim në kryerjen e veprës penale dhe për shikimin e materialeve me përmbajtje të abuzimit seksual të një të miture nën moshën 12 vjeç.
Arrestimi i tij u krye mbrëmjen e së enjtes, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet gjyqësore. Pas ndalimit, ai u dërgua përpara Prokurorisë kompetente për vijimin e procedurave ligjore.
Policia greke bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e çështjes dhe për të verifikuar nëse ekzistojnë prova apo persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.





