Janë izoluar vatrat e zjarrit që përfshinë fshatin Maliq Opar, në Njësinë Administrative Moglicë të Bashkisë Maliq.
Sipas burimeve zyrtare, flakët kanë shkrumbuar plotësisht një banesë, e cila fatmirësisht ishte e pabanuar.
Nga zjarri janë përfshirë gjithashtu sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe pyje, ndërsa dëmet në mjedis janë të konsiderueshme.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan forcat e shërbimit zjarrfikës, punonjësit e Njësisë Administrative Moglicë, si dhe banorët e zonës, të cilët punuan për disa orë për ta vënë situatën nën kontroll.
Edhe gjatë ditës së sotme, forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në zonën e prekur, me qëllim monitorimin e territorit dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave të zjarrit, për shkak të temperaturave të larta dhe erës që mund të favorizojnë përhapjen e flakëve.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende nën hetim.





