Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor, ka vijuar aksionin për lirimin e kanaleve kulluese nga ndërtimet që pengojnë funksionimin e tyre. Gjatë kësaj të marte, fadromat kanë ndërhyrë në lagjen “Kushtrimi”, ku po shembet një tjetër objekt i ngritur mbi kanalin kullues të zonës.
Bëhet fjalë për një objekt të tipit market, i cili, sipas autoriteteve, nuk disponon dokumentacion të rregullt pronësie. Shembja e tij synon t’i hapë rrugë rehabilitimit të kanalit kullues dhe rikthimit të funksionit të plotë të tij, me qëllim përmirësimin e sistemit të kullimit në këtë zonë të qytetit.
Ky nuk është rasti i parë. Që prej nisjes së projektit janë shembur edhe objekte të tjera të ndërtuara mbi të njëjtin kanal, përgjatë gjithë gjatësisë së tij, nga zona kodrinore mbi Spitalin Rajonal e deri në derdhjen në hidrovor. Sipas institucioneve, këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të eliminuar pengesat që ndër vite kanë kufizuar rrjedhën normale të ujërave.
Aksioni është pjesë e një projekti më të gjerë për pastrimin, sistemimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese në qytet. Ky investim synon të reduktojë rrezikun e përmbytjeve, një problem i përsëritur ndër vite në Vlorë, veçanërisht gjatë reshjeve intensive, duke rritur sigurinë për banorët dhe duke përmirësuar infrastrukturën e kullimit.





