Subscribe

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se është miratuar protokolli i sigurisë për hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja shtoi se faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.

“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit.”

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino kërkoi nga të rinjtë që të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjësohen.

Nga ana tjetër, mjekja Najada Çomo e konsideroi situatën aktuale të qëndrueshme, por ende ka raste të rënda në spital.

“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *