Politika e re e taksimit të pronave, e hedhur për konsultim publik nga qeveria, synon të krijojë më shumë drejtësi dhe transparencë në sistemin fiskal, por sipas ekspertëve drafti ende ka nevojë për përmirësime.
I ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, drejtori i Shoqatës së pasurive të paluajtshme, Reinaldo Pipiria, tha se projektligji synon të sjellë funksionalitet dhe qëndrueshmëri në taksimin e pasurive të paluajtshme, por ngriti shqetësime për mënyrën e zbatimit të tij.
“Projektligji synon të sjellë drejtësi, funksionalitet, transparencë dhe qëndrueshmëri në politikën e taksimit. Megjithatë, implementimi duket i vështirë dhe analizat tona tregojnë se ka nevojë për përmirësim”, tha Pipiria.
Sipas tij, një nga problematikat kryesore lidhet me faktin se metodologjia për përcaktimin e vlerës reale të pronës do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa vlera e tregut mbetet ende e paqartë.
Pipiria vlerësoi se modeli i ri është më i mirë se sistemi aktual, i cili kombinon taksimin mbi vlerën e ndërtesës dhe sipërfaqen e tokës, por theksoi se mbetet për t’u parë mënyra se si do të zbatohet në praktikë.
Duke komentuar argumentin e qeverisë se taksimi i ri mund të nxisë nxjerrjen në treg të banesave të pashfrytëzuara, ai u shpreh skeptik për efektin real të masës.
“Për një pronë me vlerë të lartë, barra taksuese mbetet relativisht e ulët dhe mund të mos krijojë incentivën e nevojshme që pronari ta shesë ose ta vërë në përdorim”, deklaroi Pipiria.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një sistemi të integruar të të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme në vend, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një databazë të plotë që të përfshijë historikun, karakteristikat dhe vlerën e çdo prone.
“Ne kemi nevojë për një sistem të integruar dhe për një pasaportë të plotë të pasurive të paluajtshme. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm mbledhja e të ardhurave, por edhe drejtësia fiskale dhe transparenca”, tha ai.
Sa i përket procesit të rivlerësimit të pronave, Pipiria e cilësoi atë një nga nismat më të suksesshme të viteve të fundit, ndërsa kërkoi rishikimin e tatimit 15% mbi shitjen e pasurive, duke argumentuar se kjo normë nxit informalitetin në treg.
Duke komentuar edhe sekuestrimet e pronave nga SPAK, ai tha se lufta ndaj pasurive me origjinë të dyshimtë rrit besueshmërinë e investitorëve të huaj dhe ndikon pozitivisht në zhvillimin afatgjatë të tregut imobiliar.
/vizionplus.tv





