Qeveria ka hedhur për konsultim publik politikën e re të taksimit të pronave të patundshme. Nisma parashikon të tatojë gjithçka, tokë dhe ndërtesa.

Ajo çka bie në sy është fakti se normat e tatimit janë rritur, por për shtëpinë e parë taksat që do të paguajnë qytetarët janë thuajse të pandryshuara. Por se sa do të jetë taksa, ajo do të përcaktohet me vendime të këshillave bashkiakë. Agron Haxhimali thotë se taksimi mbi vlerën e pronës ofron drejtësi.
“Në pamje të parë drafti është korrekt dhe ofron barazi për taksimin e pronave. Kjo politikë është e vonuar nga ana e institucioneve. Por nuk mund të themi sot se sa do të paguajmë, pasi nuk e dimë se si do të jetë vlera e pronës në vitin 2028. Shqipëria është vendi që mbledh më pak para nga taksa e pronës dhe kjo vjen edhe për shkak të informalitetit.”
Por sa do të jetë gati qeveria që të ofrojë infrastrukturën e duhur për të taksuar pronat me vlerën reale?
“Ka më shumë se dy vite që flitet për kadastrën fiskale. Ideja është që të gjitha pasuritë të digjitalizohen, të ketë një databazë të të dhënave sa tokë publike dhe private ka ky vend. Ky projekt ende s’ka mbaruar dhe jam skeptik se do të mbarojë. Vetëm pas përfundimit të kadastrës fiskale mund të flasim për metodologji të taksimit të pronave”, tha Haxhimali.
Aktualisht prona tatohet mbi bazën e çmimeve të referencës. Ndërkohë është parashikuar që kush refuzon të paguajë do të përjashtohet nga disa shërbime publike.
/vizionplus.tv





