Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për ndërtimin e 6-të mbikalimeve të këmbësorëve përgjatë autostradës Tiranë–Durrës. Pas përfundimit të punimeve për 6 km e para, tashmë puna është fokusuar te mbikalimet. Në total do të jenë 6 mbikalime, aq sa ishin edhe më parë. Ami Kozeli, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shpjegoi në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus pse këto mbikalime nuk u bënë njëkohësisht me punimet në autostradë.
“Nga vlerësimet tona ishte e pamundur që mbikalimet të bëheshin në të njëjtën kohë me punimet për zgjerimin e autostradës. Mbikalimet tashmë janë konceptuar që të nisin nga rruga dytësore dhe jo më nga autostrada, sikundër ishin më parë. Ndaj një ndërhyrje në të dy këto fronte do të sillte një kolaps të qarkullimit, ndaj u vlerësua që ato të bëhen në një moment të dytë”, tha Kozeli.
Por kur pritet që mbikalimet të jenë gati për banorët e zonës?
“Parashikimet tona janë që deri në fillimin e sezonit shkollor mbikalimet deri në Yrshek të jenë të përfunduara dhe në funksion të plotë për banorët e zonës. Mbikalimi i 6-të ka pak më shumë volum pune dhe do të kërkojë pak më tepër kohë.”
Kozeli tha se punimet në 6 km e para të autostradës tashmë janë në fazën finale dhe në këtë fazë parashikohet pjesa e gjelbërimit. Ndërkohë puna për ndërhyrjen në rrugën “Kombinat–Ndroq–Plepa”, në 4 km e saj, është në përfundim, ndërsa parashikohet që të ndërhyhet në Urën e Beshirit, një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore.
/vizionplus.tv





