Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, ka dënuar heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Izrael në ambientet e Ambasadës izraelite në Tiranë gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tij politike, por nënvizoi se cenimi i përfaqësive diplomatike dhe simboleve të shteteve të tjera nuk përputhet me traditën dhe vlerat e shqiptarëve.
“Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tyre politike, por nuk është në traditën e shqiptarit të cënojë përfaqësitë diplomatike apo simbolet e kombeve të tjera. Populli shqiptar është njohur në histori për respektin ndaj tjetrit dhe për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Organizatorët e protestës, kushdo qofshin ata, duhet të dënojnë dhe të distancohen nga akti i rëndë e i turpshëm i heqjes dhe përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit tek Ambasada në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme.”, shkruan Balla.
/vizionplus.tv





