Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ndodhet në nje vizitë zyrtare një Koraci, ku është takuar me homologun e saj Damir Krstičević ku kanë diskutuar në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e dy vendeve.
Në takimin mes zëvendëskryeministrit dhe njëherësh ministrit të Mbrojtjes kroat Krstičević me ministren Xhaçka, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe në vite, si dhe u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ndër të tjera në këtë takim dy ministrat ndanë të njëjtin mendim se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ka kontribuar më tej në qëndrueshmërinë e rajonit.
Ministri Krstičević u shpreh i lumtur për nënshkrimim memorandumit dhe shprehu mirënjohje për vendin tonë që, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kroacisë për një stërvitje të përbashkët në kuadër të 10 – Vjetorit të Anëtarësimit në NATO.
Nga ana tjetër ministrja Xhaçka kërkoi nga Kroacia të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për të siguruar integrim të plotë, të të gjithë Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, ministrja Xhaçka vlerësoi rëndësinë e memorandumit, i cili nënshkruhet pas 16 vitesh dhe që i përshtatet sfidave të kohës.
“Mbas 16 vjetësh jam e bindur që ky Memorandum do të sjellë një hov të ri të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona, sikundër jam e bindur që ky Memorandum i ri Mirëkuptimi, do të riorientojë edhe fokusin e ndërveprimit në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet vendeve tona, duke iu përshtatur sfidave të reja, nevojave specifike, angazhimit të përbashkët bilateral, por edhe bashkëpunimit rajonal dhe atë NATO.”
Gjithashtu Xhaçka ka theksuar se është e sigurt se bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë edhe më cilësor, duke shërbyer si një element kyç në interes të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në zonën Euroatlantike.







