Mbështetja financiare për bizneset e vogla dhe të mesme, përmes programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde” ishte në fokus të vizitës së zëvendëskryeministres Albana Koçiu, në një fabrikë të përpunimit të qumështit në Pogradec.
“Ka të bëjë me biznese si ky, ku nëpërmjet një kredie të lehtësuar mund të marrësh deri në 2 milionë euro kredi, deri në 10 vjet. Qeveria shqiptare të garanton një kolateral deri në 70%, falë edhe bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë”, tha Albana Koçiu, Zëvendëskryeministre.
Për bizneset që kanë nevojë për asistencë në hartimin e planit të biznesit, ekspertiza ofrohet falas.
“Jo pa qëllim vendosëm ekspertizë në dispozicion falas, që të hartojmë planet e biznesit siç duhet, që të mos kemi refuzim nga banka. I përgjigjet nevojave të bizneseve të vogla, të cilat duan t’u përafrohen standardeve të Bashkimit Europian dhe të eksportojnë sa më shumë produkte”, shtoi Koçiu.
Zëvendëskryeministrja theksoi së ne varësi të interesit të sipërmarrjeve, financimi mund të zgjerohet deri në 1 miliard euro, ndërsa fushata informuesse për programin do të shtrihet në të gjithë vendin, me fokus bizneset e vogla dhe të mesme që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin.





