Zjarri në fshatin Rriban të Mallakastrës është përhapur ndjeshëm gjatë natës, duke marrë përmasa dhe shtrirje të madhe. Aktualisht, flakët paraqesin rrezik të shtuar për t’u përhapur drejt masivit pyjor të fshatit Lofkënd.
Në terren janë përqendruar forcat e ndërhyrjes në dy drejtime, në Rriban dhe Lofkënd, me qëllim frenimin e avancimit të flakëve.
Në operacion janë angazhuar: mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova; efektivë të shërbimit zjarrfikës, punonjës të forcave bashkiake, autobote me ujë; si dhe Forcat të Armatosura jane angazhuar ne opercion.
Sipas autoriteteve, terreni i vështirë, bimësia e dendur, shtrirja e madhe e vatrës dhe intensiteti i flakëve e bëjnë tepër të vështirë ndërhyrjen vetëm me forcat tokësore. Për këtë arsye, vlerësohet e domosdoshme ndërhyrja nga ajri për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.
Ndërkohë një tjetër vatër zjarri është aktivizuar mesditën e kësaj të mërkure në zonën e Peshkëpisë, në bashkinë e Selenicës. flakët kanë shpërthyer fillimisht në një pyll me pisha dhe, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, janë përhapur drejt një varreze makinash që ndodhet pranë.
Si pasojë disa prej automjeteve të bllokuara në këtë hapësirë janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur pjesërisht. Ne terren ka shkuar një automjet zjarrfikës me dy punonjës, të cilët kane punuar për izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në sipërfaqe të tjera.
Nga ana tjetër policia ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj te Rrogozhines ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 rrenje ullinj dhe pemë të ndryshme frutore.
Nga këqyrja e zonës u konstatua se në oborrin e banesës së Ndricim Ukes kishte vatra zjarri, ndërsa në pjesën e pasme të kësaj banese, kishte një tjetër vatër zjarri që dyshohet se është përhapur duke shkaktuar djegien e një sipërfaqe toke me 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore. Ndricim Uka u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.





