Në një konferencë për shtyp, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se refuzon propozimin e Albin Kurtit për krijimin e një koalicioni me Vetëvendosjen.
“LDK-ja për mungesë besimi dhe duke patur parasysh stagnimin 4 vjeçar të vendit, pra të katër viteve të shkuara, e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve te pavarura kushtetuese, mos respektimin e vendimeve të këtyre institucioneve dhe mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje e zotin Kurti”, tha Abdixhiku.
Lubdixhiku ftoi të gjitha partitë parlamentare për formimin e një qeverie tranzitore.
“Zgjidhjen nga kjo bllokade e konsideron të domosdoshme. LDK-ja dhe une si kryetari i saj propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri edhe unitet, por mbi të gjitha kërkon edhe vetëdije të lartë politike nacionale në vend. Dhe në përputhje me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi , fillimisht konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit, një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri . Program, agjendë të qartë shtetare, të politikës të brendshme dhe të jashtme pa dallim”, shtoi ai.
Pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi i formimit të institucioneve të reja ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postin e kryetarit të Kuvendit.
Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e saj Albulena Haxhiu.
/vizionplus.tv