Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Elton Alushi, mesditën e sotme, zhvilloi një takim në Spitalin e Traumës, me familjarët e punonjësit të Policisë inspektor Veli Gjura, 64 vjeç, i cili gjatë kohës që kryente detyrën në qytetin e Peshkopisë, u aksidentua nga një automjet dhe për pasojë është në reanimacion, në gjendje kritike për jetën.

Lexo edhe :
Related Posts
Drejtor Proda iu ka shprehur familjarëve mbështetjen e tij dhe të Policisë së Shtetit, duke i siguruar se stafi mjekësor po bën gjithçka për ta mbajtur në jetë punonjësin e Policisë.

Proda: Që prej mbrëmjes së djeshme jam në kontakt me drejtuesit e Spitalit të Traumës dhe me mjekët që po ndjekin ecurinë e kolegut tonë. Dua t’ju siguroj se ka një impenjim të jashtëzakonshëm për ta mbajtur në jetë pacientin pasi dëmtimet janë shumë serioze dhe në rast se do vendosin mjekët për ta dërguar jashtë shtetit, pa diskutim që kjo do të mundësohet. Kemi një mision sa fisnik po aq dhe të vështirë, sakrifikues, deri në sublim, por këtë rrugë kemi zgjedhur, që t’i shërbejmë qytetarëve me përkushtim, ndershmëri dhe sakrifica. I uroj kolegut tonë dhe familjarit tuaj, shërim sa më të shpejtë.

Proda u takua edhe me zëvendësdrejtoreshën e SUT dhe stafin mjekësor, të cilët e informuan Drejtorin e Përgjithshëm, në prani të familjarëve të punonjësit të Policisë, për gjendjen e pacientit dhe angazhimin e mjekëve për ta mbajtur atë në jetë. /vizionplus.tv







