I konsideruar si një pikë kthese për mandatin e katërt, dokumenti “Besa”, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama përpara deputetëve dhe ministrave socialistë, pritet të sjellë një reformë të thellë të qeverisjes.
Burimet bënë të ditur për Vizion Plus se dokumenti që u është dhënë deputetëve të mazhorancës kërkon një reflektim të drejtpërdrejtë politik mbi atë që Rama e quajti “misioni i mandatit të katërt”, duke u ndalur konkretisht te kalimi nga transformimi fizik i vendit drejt fuqizimit dhe kthimit të besimit te institucionet.
Sipas dokumentit, nxitësi kryesor i kësaj kthese politike ishte protesta e “Flamingove”. Pikërisht marshimi i qytetarëve ishte një pasqyrë e pushtetit që nxori në pah se transformimi i vendit dhe përjetimi shoqëror nuk janë në harmoni, por në tension.
Dokumenti “Besa” sqaron se fjala është për një mandat besimi dhe jo thjesht për ndërtime të reja apo projekte infrastrukturore. Pika qendrore e draftit analitik është funksioni real dhe funksionaliteti i institucioneve, si dhe ndërtimi i një administrate që respekton afatet dhe u shërben qytetarëve.
Për ta arritur këtë, dokumenti parashikon një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet, duke u bazuar në një skemë ku palët të vendosin interesat e qytetarëve mbi të gjitha.
Në tekst, kryeministri bën edhe një paralelizëm mes integrimit evropian dhe reformës së brendshme administrative, ku shprehet se, për hapjen e negociatave, u kërkua bindje diplomatike, ndërsa për t’i mbyllur ato duhet bindje institucionale, në mënyrë që ligjet, mbi të gjitha, të zbatohen dhe rezultatet të maten për të gjithë.
Kreu i ekzekutivit nënvizon gjithashtu se “Besa” nuk është një draft që i shërben partisë, por vendit, dhe po ashtu duhet të konsiderohet një investim afatgjatë për shtetin shqiptar.
/vizionplus.tv





