Në Kavajë, në takimin përmbyllës të socialistëve, kryetari Edi Rama iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë forcën politike të udhëhequr prej tij më premtimin se vota do t’u japë atyre dhe gjithë shqiptarëve, një pasaportë europiane.
“Mos të mungojë në takimin me historinë në 11 maj, me këtë passaportë, nuk është tesera e PS, nuk është pasaporta që lëvizim në Europë, është statusi i ri i shqiptarëve, identiteti i ri. Nëse i do të gjitha këto, Kavaja duhet të bëhet shumicë për ndryshimin. Ne shkojmë në zgjedhje për të zgjedhur kalin më të fortë që zgjidh më shpejt hallet tona. Si mund të zgjedhësh një gërrmuq vetëm se është kali i Nafijes tënde. Hyn në gjynah me plakun rrugëve, që nuk di më çfarë flet”, tha Rama.
Për kryetarin e PS, fitorja është e padiskutueshme.
“Ne nuk na duhet një shumicë aritmetike, na duhet që kur vijnë ata burrat nga e gjithë Europa, në 16 maj, ta marrin shumë të fortë mesazhin nga 11 maji. Duhet të bëhemi pjesë e bashkësisë së Europës. Duhet të kontribuojmë të gjithë, iu them të gjithë prindërve demokratë, çfarë mund t;i bëni më shumë fëmijëve, çfarë mund ti dhuroni diçka edhe më të madhe sesa pasaporta europiane”, deklaroi ai.
Edi Rama sulmoi kundërshtarin e vet politik, ndërsa mospërfshirjen e Hysen Kadiut në listat e PD, e quan vullnet të Sali Berishës për të mos lejuar meritokracinë.
“Është ai kryetari i PD Kavajë që bëri një faj shumë të madh, fitoi primaret në të gjithë Tiranën dhe duke fituar primaret në të gjithë Tiranën, përfundoi në barkun e bufit. E hëngri bufi. Se bufi nuk do individë të lirë, bufi do skllevër, bufi nuk do qytete të bukura, bufi do vendbanime që të jetojnë në hijen e tij. U hëngri dhe Hysenin, njeriun tuaj që e zgjodhët vet. U preu kokën të gjithëve, del edhe ndonjë salamandër si ai në Elbasan që tha do iu ha juve të gjallë”, tha Rama.
Rama e sulmoi Berishën edhe për harresën që i ka bërë Kavajës, që dikur ka qenë bastion i demokratëve, duke premtuar se do të bëjë katërcipërisht të kundërtën.
/vizionplus.tv





