Këtë të hënë, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, në Tiranë u zhvilluan aktivitete përkujtimore në nderim të miliona hebrenjve të vrarë, teksa u sollën në vëmendje jo vetëm tragjeditë njerëzore, por edhe një kapitull i veçantë i historisë shqiptare, shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas zëvendës ambasadorit të izraelit në vendin tonë Holokausti mbetet një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit dhe një kujtesë e përhershme për pasojat shkatërruese të urrejtjes, racizmit dhe fanatizmit.
“Për fat të keq, historia e antisemitizmit nuk ka përfunduar, por përkundrazi po bëhet më e fortë, fatkeqësisht, në dekadat e fundit dhe veçanërisht në dy vitet e fundit. Vetëm muajin e kaluar, në dhjetor, 15 persona u vranë ndërsa po merrnin pjesë në një festë të Hanukas. Pra, edhe në vitin 2026, të qenët hebre për disa është një “faj” që dënohet me vdekje. Prandaj është roli i brezit të ri, i juaji, të siguroheni dhe të kundërshtoni çdo formë urrejtjeje që e mohon një qenie njerëzore vetëm mbi bazën e fesë, besimit apo përkatësisë etnike”, tha zv.ambasadori i Izraelit Gal Rudich
Sipas dokumenteve të ruajtura në drejtorinë e përgjithshme të Arkivave, ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane,familje shqiptare, të udhëhequra nga kodi i nderit “Besa”, rrezikuan jetën e tyre për të fshehur dhe shpëtuar familje hebreje, duke treguar solidaritet dhe humanizëm në një nga periudhat më të errëta të historisë botërore.
“Shqiptaret janë një komb me dy virtyte besën dhe mirëpritjen. Që në vitet 30 te shek 20 qeveria shqiptare është kujdesur te shtoj numërin e hebrenjve në Shqipëri. Kanë patur shumë dokumente ne vitet 30 që qeveri të ndryshme të sjellin dhe popullojnë zona të veçanta në Shqipëri. Kjo ishte një politike e fshehur e politikës shqiptare dhe ambasadoret shqiptare kishin sinjale për të shpëtuar jetë njerëzish për t’i sjell ne Shqipëri”, u shpreh studiuesi Lorenc Agalliu.
Në mbarë botën, më 27 janar përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Holokaustit. Në këtë ditë, 81 vjet më parë, përkatësisht në vitin 1945, forcat sovjetike çliruan kampin nazist Aushvic./vizionplus.tv





