Subscribe

 

Kosova mban heshtje zgjedhore në prag të votimeve të së dielës për krerët komunalë. Procesi i votimit do të fillojë në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19. Të drejtën e votimit e kanë rreth 1 milion e 890 mijë qytetarë. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 28 komunat e Kosovës, por gara më e fortë pritet të jetë për Komunën e Prishtinës dhe komunat në veri me shumicë serbe.

 

Gjashtë kandidatët për kryetarë të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arban Abrashi I LDK-së, Lirak Çelaj I PDK-së, Selim Pacolli I AKR-së, Arbër Vllahiu i AAK-së, dhe Rifat Deri i Alternativës, kanë premtuar njëzëri më herët se Prishtina ka nevojë për më shumë investime dhe një qeverisje të mirë.

 

Ndërkohë më e tensionuar situata pritet të jetë në katër komunat në veri.

Drejtoria Rajonale e Policisë do të zbatojë një program të veçantë ditën e zgjedhjeve në 44 qendra votimi, për të garantuar qetësinë publike.

 

Kryeministri Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Serbisë të mos ndërhyjë në zgjedhjet komunale, pasi akte të tilla bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

 

“Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës” – është shprehur Haradinaj.

 

Zgjedhjet e së dielës do të vëzhgohen nga 33 mijë e 200 vëzhgues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *