Ish-ministri i Sporteve në periudhën 2007-2009 Ylli Pango, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të gjyqit të dosjes “Partizani”. Për të njëjtën dosje në GJKKO është paraqitur edhe Jamarbër Malltezi.
Pango u thirr nga gjykata në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv Partizani.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e posaçëm të çështjes, Pango dha këto shpjegime:
“Funksionin e ministrit të kulturës e kam ushtruar nga marsi 2007-2009.
Kjo histori daton 18 vjet përpara. Është shumë e vështirë të mbash mend diçka që ka ndodhur atëherë, nëse nuk ka prodhuar një pasojë të madhe. Falënderoj mediat për zbardhjen e disa dokumenteve. Nëse sot dëshmoj, ka dhe mbingarkesë informacioni. Mbaj mend ligjin për trashëgiminë kulturore që e kam ndërmarrë vetë iniciativën.
Klubi shumësportësh Partizani ka qenë i zaptuar nga disa individë të asaj kohe. Ishte vënë detyrë e Këshillit të Ministrave privatizimi. Unë kisha nën administrim një qendër të kulturës, dekorin e TKOB. Ajo pjesë që duhej të merrej nga ministria, ishte dhënë urdhri, amendimi që nga qeveria Nano të merrej në administrim nga Ministria e Sportit. Di që ishte e pushtuar, por për koincidencë unë jam rritur në atë lagje. Nuk e mbaj mend gjithë dokumentacionin nëse prona ka qenë apo jo e regjistruar.
Si ministër i Kulturës nuk më kujtohet nëse kam ndërmarrë në administrim këto objekte.
Po të ishte një privat të merrte trojet, kjo do bënte “mu”. Por diçka e tillë nuk ndodhi.
Nëse do të kishte një ngacmues, padyshim që do më kishte ngacmuar. Nuk ka patur ndonjë gjë të tipit që po sulmohet ndonjë terren sportiv apo të përvetësohet. Asgjë e tillë nuk më ka bërë përshtypje.
Turizmi, sportet kanë qenë në federatë, me drejtues të zgjedhur.
Afrim Tolajn e kam dëgjuar kohët e fundit nga media.
Ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi, më ka vënë në dukje se kishte kërkuar vijim të një procedure për regjistrim, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar dhe disa prona zaptuar. Më kujtohet se ma kanë përmendur oficerët në SPAK kur më kanë pyetur.
Violeta nuk e njihte mirë këtë problem nga ana juridike. Mbledhjet e para të qeverisë janë bërë për privatizimin. Kam pyetur kryeministrin asokohe pse nuk kemi dhe ne disa asete në administrim, por i ka të gjitha Ministria e Ekonomisë. Nuk m’u dha një përgjigje.
Sipërfaqja e truallit të Klubit Shumësportësh “Partizani” nuk e di sa është. Ne luanim kur ishim fëmijë, por kaq.”
“Kur je fëmijë gjërat duken të mëdha”, i tha prokurori Arben Kraja. “Kur rritesh, zvogëlohen.”





