Komisioni Europian u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE një raport prej 135 faqesh, ku analizohet përputhja e legjislacionit shqiptar me atë Bashkimit Europian në fushat kryesore, duke nisur nga zgjedhjet, qeverisja, gjyqësori, lufta kundër krimit e korrupsionit e deri te prokurorimet publike e situata ekonomike dhe duke bërë rekomandime për ndryshimet që duhen realizuar.

 

Ndër problemet me shqetësuese që ngre Brukseli është korrupsioni. Sipas Komisionit Europian masat kundër korrupsionit kanë pasur impakt të kufizuar në sektorë si; infrastruktura publike, kadastra, tatime, dogana, shëndetësia, prokurorimet publike, kontratat e partneritetit publik-privat.

 

 “Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe biznesit, përfshi të gjitha degët e qeverisjes qendrore e vendore, institucioneve dhe mbetet një shqetësim serioz. Në përgjithësi masat antikorrupsion kanë një impakt të kufizuar.”

 

Brukseli apelon sërish për betejë kundër pandëshkueshmërisë, veçanërisht te zyrtarët e nivelit të lartë.

 

“Ka një mospërputhje midis numrit të hetimeve dhe numrit të dënimeve finale. Rritja e numrit të dënimeve finale për zyrtarët e nivelit të lartë duhet të mbetet një prioritet i rëndësishëm për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.”

 

Trafiku i lëndëve narkotike është gjithashtu një problem shqetësues për ekspertët e  Komisionit Europian. Në këtë raport citohet edhe ligji i ri për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe Brukseli ngre alarmin se do të ishte e rëndësishme që të vendoseshin mekanizma, që të parandalojnë që kanabisi i prodhuar për qëllime mjekësore të shkonte drejt tregjeve të paligjshme.

 

“Prodhimi dhe trafikimi i drogës është një fenomen i përhapur në Shqipëri. Shqipëria duhet të zhvillojë një historik të qëndrueshëm të kapjes së drogës dhe të sigurohet që asetet kriminale konfiskohen në mënyrë sistematike.”

 

Komisioni Europian paralajmëron Shqipërinë që është kundër dy nismave që aktualisht janë pezulluar nga qeveria: dhënien e pasaportave të arta dhe amnistinë fiskale.

Për secilën prej fushave Komisioni Europian vlerëson se përgatitja e Shqipërisë është “e moderuar” dhe legjislacioni ynë përputhet pjesërisht me standardet e BE.

 

Këto fusha përbejnë grupin e kapitujve themelorë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, negociatat për të cilat nisin të parat e mbyllen të fundit, pasi Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian vetëm pasi të ndërmarrë reforma të thella dhe standardet e saj në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, standardet në sistemin gjyqësor të jenë të njëjtat me vendet anëtare të BE.

 

Tani që Komisioni Europian ka përfunduar raportin i takon vendeve anëtare të vendosin se kur nisin negociatat për secilin prej kapitujve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *