Qeveria shqiptare ka hapur garën për rijetëzimin e rezidencave qeveritare me qëllin kthimin e tyre drejt interesit publik si dhe duke i shndërruar ato në destinacione tërheqëse për turizmin elitar.
Këto struktura që aktualisht janë të amortizuara dhe me kërkesa të larta për mirëmbajtje, do t’i nënshtrohen një projekti investimi falë nismës “Hospitality Albania” ku garojnë 7 kompani finaliste.
Kryeministri Edi Rama e cilwsoi këtë një rrugë të re për Shqipërinë por tha se vendi ynë ka dy shembuj të mirë në këtë proces si Spanja dhe Italia.
“Është një rrugë e re që ne po e shkelim, besoj unë me sukses, po mbi të gjitha ku po shikojmë praktikisht potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si një palë e interesuar, duke ndryshuar praktikisht hap pas hapi edhe formulat e ndërveprimit me privatin, të cilat deri dje kanë qenë shumë bazike dhe të drejtpërdrejta dhe e kanë privuar shtetin nga shumë kapacitete për të krijuar të ardhura, kështu që, duke i bashkuar këto interesa dhe duke e vënë shtetin në rolin e një pronari të zakonshëm, si palë në sipërmarrje, ne po zhvillojmë një infrastrukturë të re, faktikisht financiare për shtetin, duke u bazuar tek modelet më të mira në Europë, që janë modele të simotrave të Agjencisë së Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe që në Itali apo në Spanjë zotërojnë asete dhe marrin të ardhura jashtëzakonisht mbresëlënëse, të cilat vihen në dispozicion të interesit publik për të investuar në infrastrukturë publike dhe për të përfshirë kapacitetet shtetërore në rritjen e ekonomisë, por edhe në përfitimin nga kjo rritje”, tha Rama.
Rama shtoi se konkursi i organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve ka në fokus rimëkëmbjen e vilës së diktatorit në Vlorë dhe një tjetër rezidencë qeveritare në Velipojë.
“Eksperienca e dy rezidencave këtu në Tiranë, që tanimë janë transformuar, njëra në një shtëpi pritjeje të shtetit shqiptar për personalitete të fushave të ndryshme dhe tjetra në një qendër për artistë të rinj nga e gjithë bota në bashkëpunim me fondacionin e njohur francez Art Explora, na kanë treguar që kjo është rruga për t’i kthyer këto asete në funksione me interes publik dhe nga ana tjetër për t’i rijetësuar duke e futur shtetin si partner dhe duke i dhënë mundësi sipërmarrjes që t’i transformojë në burim të ardhurash dhe ky është rasti i dy projekteve për të cilat bëhet konkursi i sotëm; njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit shqiptar në Vlorë dhe tjetri për një tjetër rezidencë qeveritare ne zonën e Velipojës”, tha kreu i qeverisw.
Ky projekt pritet të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave./vizionplus.tv





