Vitet e fundit bjeshkët e Kukësit janë kthyer ndër më të frekuentuarat në vend dhe kjo jo pa arsye. Në këto bjeshkë ndodhet “Shtegu i ngjyrave”, i cili është më i preferuari në muajin e fundit të pranverës dhe muajin e parë të verës.
“Ky shteg nis nga liqeni i Kallabakut dhe vazhdon deri në fshatin Çaje. Për të gjithë të apasionuarit pas hiking është plot 13 km udhëtim. Mes një pllajave të pafundme dhe një pamjeje spektakolare, udhëtimi përgjatë këtij shtegu është i paharrueshëm. Tashmë prej vitesh dhjetra vizitor vendas e të huaj zgjedhin të përshkojnë këtë shteg. Peisi është një shtetase amerikane që zgjodhi të vizitonte shtegun e ngjyrave. Ajo është mahnitur nga ajo çfarë gjeti në këtë udhëtim”, Dritan Kurti, gazetar i Vizion Plus.
“Pata mundësinë të vij në këtë ecje sepse jam vullnetare e Korpusit të Paqes në Kukës dhe kolegu im është udhërrëfyes turistik, kështu që ai ftoi një grup prej nesh të bashkoheshim. Kisha dëgjuar për këtë ecje prej një viti, kështu që isha shumë e emocionuar dhe erdha me ta”, tha Peisi.
Ndërsa, Ledjoni rikthehet për herë të dytë dhe shprehet se do të vije sa herë të mundet.
Beqir Halili punon si guidë lokale në zonën e Kukësit. Ai deklaron se ky shteg tashmë ka marrë vëmendjen e gjithë botës. Beiqiri shprehet se ajo që e favorizon më së shumti është terreni, të cilin mund ta përshkuajë çdo moshë.
Shtegu i ngjyrave ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme vitet e fundit jo vetëm për ngjyrat që krijohen nga shumëllojshmëria e luleve, por edhe një fakt tjetër. Gjatë kësaj periudhe, një numër i madh kuajsh jetojnë në gjendje të lirë dhe mund t’i shohësh teksa kullotin apo ecin në këto livadhe.





