Muzeu Etnografik në Durrës ka rihapur dyert për vizitorët pas një procesi të plotë rikonstruksioni, të realizuar pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Ky investim i rëndësishëm ka rikthyer në funksion një nga hapësirat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore në qytet.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj, u shpreh se muzeu tashmë ka pësuar një rijetëzim të plotë, duke ofruar kushte bashkëkohore për vizitorët dhe duke vënë në pah vlerat historike e kulturore.
“Ndërtesa tani është dy katëshe dhe ka shumë gjëra interesante dhe do te lketë shumë interes për vizitorët. Në 2019 kemi pasur vetëm 4 dhoma tani kemi 7”, tha Alketa Tragaj, drejtore Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mjediseve dedikuar figurës së shquar të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, aktorit të madh Aleksandër Moisiu. Në katin e dytë të muzeut janë ekspozuar kostume popullore të Shqipërisë së Mesme, si dhe objekte të tjera të rëndësishme që pasqyrojnë traditat dhe jetën e përditshme të zonës ndër vite.





