I vetmi i prangosur nga operacioni ku u firmosën 10 fletëarreste, do të qëndrojë në burg pa afat. Me vendim të Gjykatës së Posaçme Florian Musaj mbetet në qeli, i dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine në bashkëpunim.
Salvadore Aliu, nga Elbasani, që më herët ka patur identitetin Shpëtim Aliu nga hetimet rezulton person kyç në këtë grup kriminal në rolin e furnizuesit, organizatorit dhe financuesit të ngarkesave me kokainë, nga Ekuadori në vendet e BE por edhe në Shqipëri. Vëllai i tij, Isa Aliu, po ashtu kishte rol aktiv në krijimin e një kompanie ndërtimi, por edhe biznese të tjera për të pastruar paratë.
SPAK i bashkoi fijet e hetimit nga platforma Sky Ecc, ndërsa njoftoi se ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtatë persona që dyshohen si bashkëpunëtorë dhe dy të tjerë mendohet se ndodhen në Shqipëri.
Pastrimi i parave, sipas SPAK është bërë përmes ndërtimit, investimit në pasuri të paluajtshme dhe zhvillimit të pronave. Kështu, nën sekuestro përfunduan 150 milionë euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për të provuar akuzat për krim të organizuar në trafikun e drogës dhe për pastrimin e parave u kontrolluan 23 ambiente, shoqëri tregtare, shtëpi dhe persona. Mes fletëarresteve të lëshuara evidentohet edhe Eldi Dizdari, i njohur me emrin Denis Matoshi dhe Dritan Gjika ndër narkotrafikantët më të mëdhenj.
Kanë qenë të paktën 50 ton kokainë të trafikuara në pesë episode nga 2019 në 2021 që janë dokumentuar në aktivitetin e paligjshëm, që kanë mbërritur në Europë nga Amerika Latine.
Në total u bllokuan 491 pasuri, 266 prona, 209 llogari bankare, automjete dhe mjete lundruese.





