Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, mori pjesë këtë të mërkurë në konferencën kushtuar rezultateve të procesit të vettingut në Shqipëri, ku vlerësoi ndikimin e reformës në drejtësi dhe punën e institucioneve të rivlerësimit.
Gjatë fjalës së tij, Metani u shpreh se procesi i vettingut ka luajtur një rol kyç në forcimin e besueshmërisë së sistemit të drejtësisë, përmes verifikimit të integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas tij, puna e organeve të rivlerësimit ka kontribuar në largimin nga sistemi të individëve që nuk plotësonin standardet e kërkuara, duke ndikuar në rritjen e cilësisë së drejtësisë në vend.
“Anëtarët e organeve të rivlerësimit kanë kryer një punë të jashtëzakonshme duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa i periudhës së vitit 2016“, tha ai.
Megjithatë, Metani nënvizoi se përfundimi i vettingut nuk duhet të shihet si fundi i reformës në drejtësi. Përkundrazi, ky moment përfaqëson fillimin e një faze të re, ku institucionet e reja të drejtësisë duhet të marrin përgjegjësinë për të ruajtur dhe garantuar standardet e integritetit, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve.
“Tanimë, përfundimi i procesit të vettingut kërkon një vlerësim të kujdesshëm dhe reflektimin mbi të ardhmen, pasi shënon kalimin nga faza e funksionimit të mekanizmit të jashtëzakonshëm të vettingut drejt një etape më të re, ku përgjegjësia për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve u takon plotësisht institucioneve të reja të drejtësisë. Kjo është arsyeja përse përfundimi i këtij procesi nuk duhet parë si finalizim apo arritje e rezultateve të duhura dhe të suksesshme të rrugëtimit të reformës në drejtësi. Ky moment shënon fillimin e fazës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucionalizimin e standardeve të integritetit dhe përgjegjshmërisë”, tha Metani.
/vizionplus.tv





