Pasi njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Mariana Koçeku ka vijuar me reagimet. Në një postim në rrjetet e saj sociale, deputetja e Shkodrës pretendon se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar nga grupi i Bajrave.
Në një postim në Facebook, koçeku shprehet: Nëse familjes time i preket qoftë edhe një fije floku, unë s’kam për t’ju lënë pa ju shkatërruar, sa ta kem jetën.
Lidhur me këtë çështje ka patur reagime edhe në Komisionin për Punët e Jashtme. Ishte deputetja demokrate Albana Vokshi, e cila u shpreh se qytetarët nuk kanë siguri teksa këto problematika mund të prekin dhe procesin e integrimit.
“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.
Përgjigjen e mori nga kryetari i Komisionit të Jashtëm Igli Hasani, i cili u shpreh se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet policisë.
“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indice duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indice. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet t’i drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.
Më herët erdhi dhe reagimi i policisë së Shkodrës, të cilët u shprehën se nuk ka ardhur një denoncim nga deputetja, ndërsa avokati i Bajrave u shpreh se Koçeku ka ngritur pretendime të pabaza.






