Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur miratimin e progres-raportit për Shqipërinë nga Parlamenti Europian, duke e cilësuar votimin si një tjetër dëshmi të vlerësimit pozitiv që institucionet europiane i bëjnë ecurisë së vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Raporti u miratua në seancën e së mërkurës me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime, duke rikonfirmuar mbështetjen e Parlamentit Europian për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u ndal edhe te debati për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, duke theksuar se Parlamenti Europian rrëzoi amendamentet që lidhen me këtë çështje dhe se ato nuk kishin lidhje me zhvillimin e projektit në zonë.
Sipas kreut të qeverisë, institucionet europiane vazhdojnë të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe të mbështesin anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.
Rama:
➡️ Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
🇦🇱🇪🇺Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
🦩Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar🦅





