Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është lokalizuar dhe arrestuar në Malësinë e Madhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Policia bën me dije se shtetasi me inicialet Franko Broqi banues në fshatin Kosan, u lokalizua, identifikua dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata për Hetimet Paraprake në L’Aquila kishte lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij.
Sipas autoriteteve italiane, ai akuzohet për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Kapja e tij u realizua pas veprimeve të koordinuara operacionale të strukturave shqiptare dhe italiane. Policia shqiptare vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për procedurat e ekstradimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, pritet të vijojë procedurat ligjore për ekstradimin e 32-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të përballet me akuzat për të cilat është shpallur në kërkim.
/vizionplus.tv





