Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se në Zubin Potok, në veri të Kosovës, në vendet ku dyshohet se ka varre masive, janë identifikuar mbetje kockore që mendohet se u përkasin të paktën 23 individëve.
Këto janë vlerësimet praprake, ndërsa identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Prokuroria Speciale me institucionet e tjera kompetente do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast. Aktualisht lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre vetë, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Ata ndodhen në paraburgim”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve kosovare njëri nga të arrestuarit, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.
“Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe të familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Edhe më herët, në një fshat Kalludër të Zubin Potokut, në veri të Kosovës, janë gjetur trupa të cilët dyshohet se janë vrarë dhe varrosur aty gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës , Albin Kurti, kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël, mund t’i përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999. Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, konsiderohet i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera intelektuale.
“Do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”, pati deklaruar Kurti gjatë një vizite ku vëzhgoi gërmimet ne rastin e pare te zbulimit te varrezes masive.
Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Serbisë, më herët patën bërë të ditur se verifikimi i informacionit për varr masiv në Zubin Potok ka zgjatur më shumë se dy dekada. Sipas tyre, informacioni për një varr të mundshëm masiv në Kalludër të Vogël fillimisht ishte bërë publik më 7 janar të vitit 2013, kur e përditshmja kosovare Zëri, publikoi deklaratën e një dëshmitari R.T. për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël.
Gërmimet në komunën veriore të Kosovës, Zubin Potok, nisën më 28 korrik dhe ato janë zhvilluar dhe po zhvillohen në disa vende ne fshatin Kalludër të Vogël, Jabukë, dhe në një vend tjetër në këtë komunë. Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, pas zbulimit nga autoritetet kosovare të varrezave masive në disa vende në Zubin Potok, e akuzon Serbinë që “përveç se nuk dëshiron të bashkëpunojë, po ndalon njerëz që po japin të dhëna për vendndodhjen e mundshme të varreve masive”.
“Serbia në vend që t’i hapë arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake që kanë kryer krime të luftës në Kosovë, i akuzon të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh”, pati deklaruar Kurti.
Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës cilësohet si çështje humanitare, por Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, ndonëse disa herë janë zotuar për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Instituti Kosovar që mbledh të dhëna për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ka të evidentuar 1.577 persona qe vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur që nga lufta e Kosovës gjatë vitit 1998-1999./DW





