E shtunë, 10 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:10 Në vijim ora 13:10: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

PDK-ja bllokon hyrjen e Qeverisë së Kosovës për të gjashtën ditë, paralajmërohen protesta masive

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vazhduar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës. Protesta zhvillohet në shenjë pakënaqësie për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Aksionit të PDK-së iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Vushtrria. Ata kërkuan që procesi të rikthehet në Kuvend dhe institucionet e vendit të konstituohen sa më shpejt.

Reklamë

Asamblistja e PDK-së nga Vushtrria, Vlera Tahiri, tha se qytetarët e kësaj komune kanë nevojë për investime dhe projekte zhvillimore. Sipas saj, për realizimin e tyre nevojiten institucione funksionale dhe një Kuvend ku problemet e qytetarëve të diskutohen dhe të kërkohet llogaridhënie.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, deklaroi se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve, duke e akuzuar atë se po keqpërdor besimin e qytetarëve.

Reklamë

Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit. Ajo tha se askush, përfshirë Albin Kurtin, nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin.

Kadrijaj paralajmëroi se nëse situata nuk zgjidhet dhe vazhdon ajo që e cilësoi si “avaz” i Kurtit, opozita do t’i shtojë protestat. Sipas saj, ato mund të bëhen edhe më masive në ditët në vijim.

PDK-ja dhe Aleanca këmbëngulin se procesi duhet të rikthehet në Kuvend, të përfundojë konstituimi i tij dhe më pas të procedohet me formimin e institucioneve të tjera të Kosovës. Aksionet e opozitës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë