Portugalia ka miratuar një ligj që ndalon mbulimin e fytyrës në hapësirat publike, masë që është cilësuar gjerësisht si një “ligj kundër burkës” dhe që ka shkaktuar debate për të drejtat e grave myslimane. Ligji u nënshkrua nga presidenti António José Seguro, ndërsa nisma ishte propozuar fillimisht nga partia e së djathtës ekstreme Chega.
Sipas ligjit të ri, ndalohet përdorimi në publik i veshjeve që janë krijuar për të fshehur ose penguar dukshmërinë e fytyrës. Gjithashtu, ndalohet detyrimi i një personi për të mbuluar fytyrën për arsye që lidhen me gjininë, fenë, moshën apo origjinën.
Shkelësit përballen me gjoba nga 150 deri në 750 euro në rastet e pakujdesisë dhe nga 400 deri në 3 mijë euro kur vërtetohet se veprimi është kryer me qëllim. Ndërsa detyrimi i një personi tjetër për të mbuluar fytyrën mund të dënohet me deri në tre vite burg.
Presidenti Seguro e cilësoi çështjen si një temë me “ndjeshmëri të madhe sociale dhe kulturore”. Ligji parashikon përjashtime për arsye shëndetësore, profesionale, artistike, argëtuese dhe reklamuese. Ndalimi nuk zbatohet në avionë, ambiente diplomatike e konsullore, vende kulti dhe zona të tjera të shenjta.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar masën. Amnesty International në Portugali e ka cilësuar ligjin diskriminues dhe një kërcënim për të drejtat e grave myslimane që zgjedhin të mbulojnë fytyrën, duke argumentuar se ai mund të çojë në izolim më të madh dhe vështirësi në arsim, punësim dhe marrjen e shërbimeve publike.
Me këtë vendim, Portugalia i bashkohet disa vendeve evropiane që kanë vendosur kufizime të plota ose të pjesshme për mbulimin e fytyrës në publik, mes tyre Franca, Belgjika, Austria, Danimarka dhe Holanda. Ndërkohë, edhe në Ishujt Balearikë të Spanjës po shqyrtohen propozime të ngjashme, të mbështetura nga forcat e djathta, por që kanë hasur kundërshtim nga partitë e majta.
/vizionplus.tv





