Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një avion të “Delta Air Lines”, gjatë një fluturimi nga Atlanta drejt Portlandit, ku një pasagjere solli në jetë një foshnje vetëm pak minuta para uljes.
Sipas mediave ndërkombëtare, lindja ndodhi rreth 20 minuta para aterrimit, ndërsa në avion ndodheshin 153 pasagjerë. Në ndihmë të nënës, Ashley Blair, ndërhynë dy ndihmëse emergjence që ndodheshin rastësisht në fluturim, Tina Fritz dhe Karin Powell.
Fillimisht ato po asistonin një tjetër pasagjer, por më pas u kërkua ndihma e tyre kur gruaja hyri në fazën aktive të lindjes. Në mungesë të pajisjeve mjekësore, ato improvizuan duke përdorur batanije, kordoni i kërthizës u lidh me një spango dhe materiale të tjera të pasagjerëve për të ndihmuar procesin e lindjes.
Foshnja, një vajzë e shëndetshme e quajtur Brielle Rene Blair, erdhi në jetë me disa shtytje të shpejta të nënës, ndërsa avioni po përgatitej për ulje.
Pas aterrimit, ekipet mjekësore konfirmuan se si nëna ashtu edhe foshnja ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe u transportuan për kontroll në spital.
Kompania ajrore vlerësoi ndihmën e stafit dhe pasagjerëve, duke theksuar se siguria e udhëtarëve mbetet prioritet kryesor.
/vizionplus.tv





