Mishi mbetet një burim i rëndësishëm proteinash, hekuri dhe vitaminash, por ekspertët e ushqyerjes theksojnë se konsumi i tij shpesh ka tejkaluar nevojat reale të organizmit. I ftuar në Mes’Dritë në Vizion Plus, nutricionistit Agron Rexhepi, thot se problemi kryesor nuk është mishi në vetvete, por sasia, cilësia dhe mënyra e konsumimit të tij.
Rexhepi vlerëson se mishi i kuq duhet konsumuar me shumë kujdes. “Mishi i kuq llogaritet si jo shumë i preferuar; një herë në javë do të ishte mjaftueshëm”, tha ai, duke shtuar se produktet e përpunuara duhet të eliminohen nga dieta e përditshme. “Për produktet e përpunuara do të preferoja të largoheshin tërësisht nga dieta”, u shpreh ai.
Ai paralajmëron se këto produkte shpesh përmbajnë nitrite, të cilat në organizëm mund të formojnë substanca me efekt kancerogjen. Sipas tij, konsumimi i rregullt i tyre rrit rrezikun për sëmundje serioze. “Një person që konsumon 50 gramë ushqim të përpunuar çdo ditë rrit me 18% rrezikun e kancerit të kolonit dhe rektumit”, tha Rexhepi, duke iu referuar edhe të dhënave të OBSH-së dhe Fondit Botëror për Kërkime mbi Kancerin.
Duke folur për zgjedhjet ushqimore, ai theksoi se mishi i shpendëve dhe peshku janë alternativa më të shëndetshme. “Renditja do të ishte: peshku, mishi i shpendëve dhe në fund mishi i kuq”, u shpreh ai, duke shtuar se një porcion i mjaftueshëm mishi duhet të jetë 80 deri në 100 gramë.
Rexhepi paralajmëron gjithashtu për mënyrën e gatimit, duke theksuar se duhet shmangur skuqja dhe djegia e mishit. “Asnjëherë mos e digjni apo piqni tepër mishin deri në karbonizim, sepse formohen substanca kancerogjene”, tha ai, duke rekomanduar zierjen ose pjekjen e kujdesshme.
Sipas tij, edhe koha e konsumimit ka rëndësi. “Preferohet në drekë. Nëse konsumohet në darkë, duhet të jetë një darkë e hershme, ora 18:00–19:00”, tha Rexhepi, duke shpjeguar se mishi kërkon disa orë për t’u tretur dhe konsumimi i vonshëm mund të sjellë probleme me tretjen.
Në lidhje me përgatitjen e ushqimit, ai këshillon kujdes edhe me mishin e grirë dhe produktet e gatshme, duke thënë se shpesh nuk janë të kontrolluara mjaftueshëm. “Shpesh përmbajnë mbetje dhjamore dhe pjesë që nuk janë cilësore”, u shpreh ai.
Sipas nutricionistit, çelësi i një diete të shëndetshme mbetet balanca dhe moderimi, duke e kombinuar mishin me ushqime bimore dhe duke shmangur teprimin në konsum.
/vizionplus.tv





