Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore.
Sipas tij, kjo është marrëveshja e 21-të e këtij lloji që Shqipëria ka arritur me vende ku ka diasporë, si dhe e 10-ta me vende të Bashkimit Europian. Marrëveshja synon njohjen e viteve të punës për emigrantët shqiptarë, ndërsa pala shqiptare po vijon negociatat edhe me Greqinë, një nga vendet me komunitetin më të madh shqiptar.
Malaj: Është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore. Kjo është marërveshja e 21-të nga nismat që ka ndërmarrë Shqipëria me vende ku ka dispasorë të shqiptarëve jashtë territorit të Shqipërisë, është marrëveshja e 10-të me vendet e BE-së, janë marrëveshje të nevojshme për ata shqiptarë që punojnë jashtë Shqipërisë dhe që duan t’u njihen vitet e punës që kanë pasur në vendin tonë. Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar që të vijojë me ratifikimin e marrëveshjeve të ngjashme ku ka diapsorë shqiptare prezente.
-Po me Greqinë deri në çfarë faze jemi?
Malaj: Janë diskutime dhe negociata intensive nga ana e palës shqiptare. Diaspora që është prezente të Greqi është relativisht e madhe. Jemi besimplotë që do ta konkludojmë një marrëveshje të tillë.





