Ka nisur seanca e parë gjyqësore për një nga fraksionet e operacionit të koduar “Revanshi”, ku përballë drejtësisë janë disa të pandehur; Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi.
Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm i pandehuri Jozi Kraja, i cili ka kërkuar që procesi të vazhdojë me gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë, Aldo Avdyli ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati Dritan Jahja, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë.
Oltion Zefi mungoi së bashku me avokatin e tij Elis Bilali.
Henerigert Mitri nuk mori pjesë, por u përfaqësua nga avokati Ardian Leka.
Marklen Haka gjithashtu mungoi, ndërsa në sallë ishte avokati i tij Erjon Kullolli.
Altin Morina nuk u paraqit në gjyq, ndërsa mungoi edhe avokati i tij për arsye shëndetësore.
Durim Bami nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokati Ilir Murati, i cili gjithashtu kërkoi zhvillimin e procesit me gjykim të shkurtuar.
Në seancë ishte thirrur edhe Gjergj Mihasi, babai i Erigers Mihasit, në cilësinë e viktimës së veprës penale. Ai kërkoi të mos marrë më pjesë në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore, duke deklaruar se ka besim te drejtësia.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi shtyrjen e seancës, për shkak të mungesës së disa të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, si dhe pezullimin e afateve të paraburgimit, duke argumentuar se janë shteruar rrugët ligjore për njoftim.
Gjykata vendosi të urdhërojë shoqërimin e të arrestuarve dhe pezulloi afatet e paraburgimit. Seanca e radhës është caktuar më 6 maj, në orën 11:00.





