Të miratuara që prej dhjetorit, me premtimin se prej 1 janari do të ishin në fuqi, por sot që flasim paqja fiskale dhe fshirja e detyrimeve tatimore dhe doganore për bizneset nuk është ende e zbatueshme sepse mungojnë aktet nënligjore.
Ministri i Financave Petrit Malaj shpjegoi se kjo vonesë ka ardhur për shkak të tryezave të diskutimit me ndërkombëtarët, që kanë shprehur rezerva për nismat. Sipas tij, paketa e plotë ligjore do të jetë gati brenda muajit tjetër.
“Aktet nënligjore janë drejt fazës finale të tyre, shumë shpejt do të dalim me aktet nënligjore dhe udhëzimet për paqes fiskale dhe për fshirjen e detyrimeve tatimore, ka qenë një periudhë ku ne kemi diskutuar dhe negociuar edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe shumë shpejt do të dalim me këto akte, besoj brenda majit”, tha Malaj.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Malaj njoftoi edhe se mes Shqipërisë dhe Polonisë do të ketë një marrëveshje për sigurimet shoqërore, ndërsa negociatat mes palës shqiptare dhe asaj greke për të njëjtën çështje vijojnë ende.
“Është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, është marrëveshja e 21 nga nismat që ka ndërmarrë qeveria me vende ku ka diasporë të shqiptarëve. Është marrëveshja e 10 me vendet e BE, dhe janë marrëveshje të nevojshme sidomos për ata shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Qeveria mbetet e angazhuar që të vijojë me ratifikimin e marrëveshjeve me të gjithë ato vende ku ka diasporë prezentë. Janë negociata intensive, jemi besimplotë që do ta konkludojmë një marrëveshje të tillë, ka intensitet të lartë negociatash e kushtet edhe për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që kemi në Greqi”, tha Malaj.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi një akt nënligjor që lidhet me kërkimin shkencor, si pjesë e detyrimeve që vendi ka për Kapitullin 25 të negociatave me Bashkimin Evropian.





