Dy turistë gjermanë kanë dhënë sinjalin SOS pasi kanë mbetur të bllokuar në malin e Çikës.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se turistët kanë humbur orientimin gjatë ecjes në terrenin e vështirë malor. Njëri prej tyre dyshohet se ka pësuar dëmtime.
Menjëherë pas marrjes së sinjalit është organizuar operacioni i kërkim-shpëtimit. Drejt zonës janë nisur efektivët e forcës speciale Delta Force, shërbimet e Policisë së Vlorës, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, me qëllim gjetjen dhe nxjerrjen e turistëve nga terreni i vështirë.
Gjithashtu është njoftuar edhe një helikopter, i cili do të angazhohet për transport ajror nëse kushtet e terrenit dhe gjendja e turistëve do ta bëjnë të nevojshme ndërhyrjen.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa priten të dhëna të reja për vendndodhjen, gjendjen e dy turistëve dhe rezultatet e ndërhyrjes.





