Subscribe

Një muaj pasi nisën detyrën, 3 efektivë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqjen nga Policia e Kosovës. Arsyet nuk dihen ende, por menjëherë pas publikimit të lajmit ka patur reagime nga përfaqesuesit shtetëror dhe ata ndërkombetarë.

 

Presidentja Osmani tha se largimi i policëve erdhi për shkak të kërcënimeve nga Serbia.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTE E KOSOVES

 

“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”.

 

Shefi i misionit Eulex, Giovanni Pietro Barbano, nuk e fshehu shqetësimin e tij për këtë zhvillim.

 

“Përbërja e Policisë duhet të reflektojë dhe të përfaqësojë shoqërinë që i shërben dhe e mbron. Anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre nëpërmjet punës së tyre të orientuar nga komuniteti”.

 

Në të njëjtën linjë qëndrimi është edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

 

“Ndajmë plotësisht këto shqetësime dhe përsërisim përkushtimin tonë ndaj forcës policore multietnike të Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime”.

 

Ndërsa ambasadori i Gjermanise në Kosovë, Jorn Rohde i ka bere thirrje policisë t’i kryejë detyrat e saj, pa frikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *