Subscribe

Presidenti Ilir Meta ka komentuar vendimin për të mos dekretuar shkarkimin e Bushatit nga detyra dhe emërimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm.

 

Nga Kavaja, Meta deklaroi para mediave se për të gjithë ministrat e rinj po bëhen verifikime mbi integritetin e tyre përpara se t’u jepet detyra.

 

“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues.”

 

Teksa u pyet mbi integritetin e Cakajt nga gazetarët, presidenti preferoi të mos e jepte një përgjigje. Meta deklaroi se institucioni që ai drejton shumë shpejtë do të bëj publik vendimin mbi emërimin e ministrave të rinj.

 

“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *